Vendosja e një zetori uji në një pjesë toke, është bërë sot shkak për vrasjen e 52-vjeçarit Ludovin Lala në fshatin Jubë të Sukthit në Durrës.

Mësohet se viktima dhe autori Asti Mici, 57 vjeç, ishin fqinj me njëri-tjetrin dhe kishin konflikte të vazhdueshme për motive pronësie. Sherri këtë mëngjes që përfundoi me vdekjen e njërit prej tyre, ka nisur për një zetor uji që viktima e kishte lënë në anë të lumit Erzen dhe kjo ka ngjallur pakënaqësi tek autori 57-vjeçar Asti Mici.

Ai i ka kërkuar që ta zhvendosë zetorin, por sipas burimeve, mjeti bujqësor ishte vendosur në tokë publike dhe nuk ishte as në pronën e viktimës dhe as të autorit.

Gjatë debatit, dyshohet se 57-vjeçari Mici e ka goditur fqinjin me kosën e barit në pjesën e kofshës. Pas kryerjes së ekspertizës mjekësore, mësohet se ai ka mbetur i dëmtuar në venën cemorale. Vena cemorale transporton të gjithë gjakun e trupit, dhe pas dëmtimit të saj, viktima ka filluar të humbasë shumë gjak. Si rezultat i hemoragjisë së madhe, 52-vjeçari humbi jetën pak pasi u transportua në spitalin e Durrësit.

Ndërkohë, policia ka shoqëruar autorin e dyshuar për të zbardhur ngjarjen, ndërsa është bërë gati dhe fleta e arrestit për të.

“DurrësLajm” ka shkuar në vendngjarje, duke sjellë dhe pamjet e para ku ndodhi krimi.