Të martën, numri i të infektuarve me koronavirus në Durrës pësoi rritje të ndjeshme, ku u regjistruan 12 raste të reja në 24 orët e fundit, duke e çuar në total 26 numrin e personave të prekur nga COVID-19 në qytetin bregdetar.

11 prej 12 rasteve të reja raportohet se i përkasin 3 familjeve të të njëjtit fis, që bashkë me të prekurin e parë, bilanci shkon në 12 të infektuar.

Bëhet fjalë për një 71-vjeçar i cili para dy ditësh rezultoi pozitiv dhe dyshohet se është dhe shkaku i përhapjes së virusit në familjet e tjera.

Dyshohet se i moshuari e ka marrë virusin nga djali i tij, i cili punonte në një call center në Durrës, e me pas djali ka infektuar edhe nënën. Prej tyre e kanë marrë dhe të afërmit që jetojnë pranë ose që kanë pasur kontakt me ta.

Të gjithë banojne në banesa private në zonën e Spitallës, duke e shndërruar kështu këtë zonë si më të infektuarën në qytet, pasi është numri i lartë i të infektuarve.

Deri më tani, 15 persona kanë humbur betejën me koronavirusin në Shqipëri, 2 prej të cilëve nga Durrësi.