08/02/2018 - 14:09
Kryeprokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku, u ndal sot në Durrës ku mori pjesë në analizën vjetore të prokurorisë së këtij rrethi.
Si qyteti me portin më të madh në vend, prokuroria e qytetit bregdetar rezulton se ka një numër të vogël të veprave në fushën e kontrabandës, gjë që u evidentua nga kreu i akuzës, e cila kërkoi nga prokurorët që të angazhohen për të evidentuar krimet në këtë fushë.
“Qyteti i Durrësit si një nga qytetet-porte të vendit tonë rezulton me shumë pak vepra penale në fushën e kontrabandës, ndërkohë që jemi të vetëdijshëm se sjelljet që cenojnë legjislacionin doganor janë të shumta dhe të ndëshkueshme penalisht. Duhet që edhe kryesisht prokurorët të angazhohen për të evidentuar këto vepra penale në çështjet që hetojnë, duke mos u mbetur të kufizuar vetëm në referimet që mund të vijnë nga Policia e Shtetit apo vetë doganat”, deklaroi Marku para prokurorëve të Durrësit.
/portali DurresLajm/