Punonjësit e Kadastrës së Durrësit monitorohen në çdo moment nga kamerat e institucionit, jo vetëm me video, por edhe audio.

Specialistë të këtij institucioni i kanë treguar DurrësLajm se ata monitorohen në çdo zyrë nga drejtuesit e institicionit, të cilët në çdo moment mund të dëgjojnë bisedat e vartësve të tyre, qoftë ato konfidenciale që ata mund të bëjnë në telefon me familjarë në orarin e pushimit apo komunikimi i përditshëm me kolegët e zyrës.

Sistemi i kamerave në institucione shtetërore është një praktikë e njohur, për të mbikqyrur hyrje-daljet e punonjësve dhe qytetarëve të ndryshëm, por që të "përgjohen" punonjësit nga vetë drejtuesit e tyre kjo përbën një skandal.

Çdo bisedë e konsumuar prej tyre në zyrë mund të keqpërdoret në të ardhmen, pikërisht nga personat i kanë vënë nën “përgjim”. Në praktikën botërore, por edhe atë shqiptare, personat që përgjojnë të tjerë duhet të jenë të pajisur me certifikatë sigurie, për të garantuar sekretin e bisedës së përgjuar, për të garantuar ruajtjen e privatësisë së çdo individi.

Nuk dimë nëse drejtuesit e institucionit janë të pajisur me certifikatë të tillë, apo nëse i kanë vënë në dijeni vartësit se ua dëgjojnë çdo bisedë që ata bëjnë në zyrat e tyre. Punonjësit e Kadastrës që informuan DurrësLajm për këtë praktikë aspak të zakontë në institucione shtetërore bënë të ditur prej prej disa kohësh në biseda me njëri-tjetrin qarkullon mes tyre si legjendë urbane fakti që duhet të ruhen për çdo fjalë që thonë, pasi ato mund të keqkuptohen në rastin më të mirë nga drejtuesit dhe të keqpërdoren në rastin më të keq prej tyre.  

“E vetmja pronë personale që lidhet direkt me individin dhe është në pronësinë e tij të përjetshme janë të dhënat personale dhe jeta e tij shpirtërore, materiale, intelektuale, kulturore duke përfshirë botën e tij të brendshme/sensitive. Këto të drejta qëndrojnë në themelet e të drejtave dhe lirive të njeriut. Në gjuhën e përditshme te ne, me këto të drejta nënkuptojmë sedrën e individit. Thënë në gjuhën e terminologjisë juridike edhe në aspektin ndërkombëtar, lirisht qëndron shprehja privatësi për individin, po që se shkilet apo keqpërdoret nga kushdo qoftë, atëherë kemi të bëjmë me shkeljen e privatësisë që herë herë asocion me të kuptuarit se “nderi ynë” është nëpërkëmbur apo shkelur”,- “nënvizohet në kapitullin “Privatësia dhe të Dhënat Personale, të Drejta Themelore të Njeriut”

Monitorimi audio video është një praktikë e njohur në spektaklet reality, si psh Big Brother, por aty, që para se të hyjnë në shtëpi, banorët nënshkruajnë me vullnetin e tyre një klauzolë ku pranojnë të monitorohen 24/24 orë.

Në rastin e Durrësit, punonjësit e Kadastrës nuk kanë rënë dakort që persona të tretë të dëgjojnë bisedat rutinore me familjarë a të afërm të tyre, apo biseda konfidenciale me të dashur, partnerë etj.

Kadastra e Durrësit duket se është kthyer në një reality vetëm për drejtuesit e saj.

M.B.