Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha sot vendimin që konfirmon në detyrë kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Më 8 qershor, ky komision zhvilloi seancën dëgjimore, ku u nënvizuan disa probleme në justifikimin e pasurisë së kreut të Kushtetueses.

Në raportin e lexuar në KPK, Dedja kishte probleme me justifikimin e disa prej pasurive në vlera që shkonin në mijëra euro. Problemet nisnin nga aparamenti me sipërfaqe 146 m² dhe një garazh 15 m² të blera në shumën 180 mijë euro.

Dedja ka deklaruar se për këtë shumë ka marrë 120 mijë euro kredi, 25 mijë euro hua pa interes nga kunati dhe vëllai, si edhe pjesën e mbetur prej 35 mijë eurosh i ka pasur kursime të tij dhe bashkëshortes. Ndërsa, sipas raportit të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar për figurën, ai është i përshtatshëm. Po ashtu, edhe raporti i KLD për aftësitë profesionale, e ka cilësuar të përshtatshëm.

Pas mbarimit të seancës që dha vendimin për konfirmimin e Dedjës, avokati që e përfaqësonte, Maksim Haxhia, foli përpara mediave.

“Relatorja prezanton dosjen dhe nuk mund të bëjë komente. Gjykata duhet të jetë e ftohtë në analizën e dosjes. Ky është një rast sporadik që mua më erdhi keq sepse u cenua në publik një nga personalitetet më korrekte të drejtësisë siç është zoti Dedja”, tha Haxhia