Kreu i Forcave Lëvizëse Operacionale në Policinë e Shtetit, Sokol Bizhga është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit. Një ditë më parë ai është paraqitur në Vetting, ku pati probleme me justifikimin e pasurisë dhe me gradën, të cilën e ka përfituar jashtë radhe, duke argumentuar se ka qenë problem i sistemit të asaj kohe.

Megjithatë sot, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit ka vlerësuar se kreu i FLO-së, Sokol Bizhga konfirmohet në detyrë duke kaluar të tre kriteret atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.

Si qëndronte problemi me pasurinë? Gjatë seancës së një ditë më parë para vettingut, Bizhga e ka justifikuar se ka punuar në Itali në ndërtim, ku ka kursyer pjesën më të madhe të parave. Në skedën e pasurisë, Bizhga zotëron një apartament 1+1, 64 m2, një apartament 94 m2 në Durrës në emër të bashkëshortes në 2006-n, dyqan 52 m2 në Durrës, banesë dhe tokë në Gjirokastër në emër të djalit të tij dhe dy depozita bankare.

Në lidhje me vlerësimin dhe pastërtinë e figurës, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit është shprehur se Sokol Bizhga nuk ka të dhënë për veprimtari kriminale nuk ka kontakte me botën e krimit dhe nuk ka denoncime në emër të tij. Pozitive janë shënuar edhe arritjet e tij profesionale.