Kamerat e sigurisë kanë zbardhur intinerarin e autorit të vrasjes së 66-vjeçarit Behar Sofia. Sipas pamjeve, të sekustruara nga Policia e Shtetit, autori mbante një kapele.

Ai ka ndjekur viktimën dhe pasi e ka qëlluar ka ecur normalisht në këmbë drejt Kullave Binjake, duke kaluar urën e Lanës e më pas ka marrë një biçikletë.

Më pas, kamerat kanë fiksuar momentin kur vrasësi lëviz nga Korpusi i Universiteti në drejtim të Liqenit Artificial.

Biznesmeni Behar Sofia, u qëllua me dy plumba nga një armë me silenciator teksa po lëvizte në këmbë pranë zonës së Piramidës mëngjesin e ditës së djeshme.

Edhe pse u dërgua në spital ai nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra. Pasditen e djeshme policia mori në pyetje edhe familjarët e viktimës të cilët kanë rrëfyer se 66-vjeçari kishte dalë të pinte kafe dhe nuk do të takohej me njeri.

Deri tani lidhur me këtë ngjarje janë shoqëruar të paktën 10 persona, të gjithë familjarë dhe të afërm të viktimës dhe asnjë person i dyshuar.