Autoritetet italiane në Bari kanë arrestuar një 47-vjeçar i cili ishte nisur nga porti i Durrësit, shofer i një kamioni që transportonte veshje nga Shqipëria në Itali.

Në kamionin tip Volvo që kishte mbërritur një ditë më parë në portin e Barit me linjën e tragetit M/N Marina,  u gjetën rreth 20 kg drogë e tipit heroinë e kokainë.

Ndalimi i tij u bë në afërsi të stadiumit të Barit gjatë një postoblloku rrugor  për parandalimin e përhapjes së COVID-19 e kontrollit të lëvizjes së automjeteve.

47-vjeçari  ka deklaruar se po tranportonte veshje në Piacenza e në Bergamo por nuhatja e qenëve antidrogë zbuloi se në kabinën e shoferit ishte  12 kilogramë kokainë dhe 8.8 kg heroinë.

Nën mekanizmin e ndryshimit të marsheve u gjetën 19 pako drogë baraz me 12.1 kg kokainë e 8.8 kg heroinëe. Kokaina ishte konfeksionuar në 11 pako e heroina në 8 pako.

Shoferi shqiptar është vënë nën pranga me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe ndodhet në izolim të detyrueshëm për shkak të pandemisë COVID-19.

Hetimet janë duke u zhvilluar për të identifikuar kanalet e furnizimit me drogë dhe rrugët nga shkonin trafikantët në Itali.