Policia e Durrësit ka dhënë detajet e para rreth sasisë së konsiderueshme të drogës që u kap mbrëmë në portin e Durrësit.

Droga u kap në një kamion të ngarkuar me kuti të mbushura me kastraveca, në mesin e të cilave kishte qese të mbushura me lëndë narkotike.

Policia thotë se lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa po vijon puna për peshimin e plotë dhe hetimet për zbulimin e personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Është arrestuar shoferi i kamionit, i cili është një shtetas maqedonas.

Njoftimi i policisë:

Goditet një tjetër tentativë e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike në Portin e Durrësit.

Policia Kufitare në bashkëpunim me Seksionin Kundër Narkotikëve kanë parandaluar dhe goditur tentativën për të trafikuar lendë narkotike drejt Italisë.

Sekuestrohet një sasi e konsiderueshme Cannabis Sattiva.

Vijojnë hetimet…

Shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me  Efektivet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës së tyre për parandalimin e rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet Portit të Durrësit, mbrëmjen e djeshme, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative kanë goditur një tjetër rast.

Më datë 06.06.2017, gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës, në mjetin kamion tip Daf, me drejtues një shtetas maqedonas, pas dyshimeve nga Specialistët se në brendësi të tij kishte lëndë narkotike, për verifikim më të hollësishëm u kontrollua në Skaner.

Në përfundim u konkludua një sasi e konsiderueshme lënde narkotike e dyshuar e llojit kanabis sativa.

Kamioni ishte i ngarkuar me kuti të mbushura me kastraveca dhe në mes të kastravecave kishte qese të mbushura me lëndë narkotike.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Vijon puna për peshimin e lëndës dhe hetimet për zbulimin e personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.