Nga e hëna në të shtunë, spitali Rajonal i Durrësit përgjatë gjithë tetorit, ka ofruar kontrolle falas për gratë dhe vajzat në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.

Në harkun kohor të një viti, prej kur në spital u krijua njësia e Senologjisë, që bën të mundur që i gjithë cikli i sëmundjeve tumoriale të mbyllet në Durrës, kirurgu senolog, Denis Godaj tregon se janë evidentuar 25 raste të reja me kancer gjiri, të cilat kanë kryer operacione.

"Gjithashtu janë operuar edhe 40 raste të tjera me sëmundje të mira, beninje të gjirit, të cilat janë pa ndonjë problem të veçantë dhe janë në ndjekje të ekipit tonë", shprehet Godaj ndërsa përmend edhe 5 rastet e dyshuara që janë zbuluar gjatë muajit tetor.

"Shërbimi i mamografisë në bashkëpunim me mjekët e familjes së qarkut Durrës, kryejnë rreth 30 ekzaminime në ditë dhe deri tani numrat janë mbi 600 dhe presim që deri në fund të maujit të kalojnë mbi 800 mamografi", thotë kirurgu senolog.

Më të prekurat nga kjo sëmundje, janë femrat nga mosha 40 deri në 65 vjeç, por siç tregon mjeku Godaj, në spitalin e Durrësit janë paraqitur edhe raste me moshë më të reja, deri në 32 vjeçe apo moshë më të madhe, 77 vjeçe.

"Është shumë e rëndësishme që të kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë të zinxhirit; pacienti-mjeku i familjes dhe mjeku specialist senolog", thekson Godaj ndërsa këshillon si mund të ushtrohet vetëkontrolli i gjirit.

Nga viti në vit, femrat janë më të ndërgjegjësuara përsa i përket kontrollit që duhet të kryejnë për ekzaminimin në kohë të kësaj sëmundje që ka incidencën më të lartë ndër llojet e kancerit që prekin gratë kudo në botë, e cila fatkeqësisht është edhe vdekjeprurëse. 

G.D.