Kandidimi i Valdrin Pjetrit për kryetar të bashkisë së Shkodrës e vuri edhe njëherë Kryeministrin dhe Partinë Socialiste në shënjestër të opozitës për lidhje me persona me të shkuar kriminale.

Analisti, Aleksandër Çipa në studion e RTV Ora vlerëson se PS ka injoruar në vijimësi shumë prej filtrave institucionalë që edhe shteti monist dikur i kishte shumë më serioze dhe rigoroze.

"Për më shumë se 3 vjet opozita politike dhe pse ndodhet në një pozitë shumë të rëndë të vetëvetes po godet kundërshtarin politik, kryeministrin dhe PS, në një pikë nevralgjike, "thembrën e Akilit". Historia e inkriminimeve në politikat rekrutuese dhe politikat e përfaqësimeve të administratës, niveleve të larta të përfaqësimit institucional dhe shtetërore kanë qenë të tilla që kanë injoruar shumë prej filtrave institucionalë që edhe shteti monist dikur i kishte shumë më serioze dhe rigoroze sa i përket procedurave shqyrtuese, rishqyrtuese dhe verifikuese. Këto politika nga qeveria e kryeministrit Edi Rama duket se janë injoruar dhe shpërfillur. Kriteri politik dhe ai i mbështetjes si besnikëri politike dhe partiake ka qenë prevalues mbi kriterin profesional, aftësinë dhe zotësinë, kreditet publike që gëzon personi dhe mbi integritetin e besueshmërisë dhe investimit profesional. Këto të fundit kanë qenë jo vetëm të dyshuara, të kritikuara dhe injoruara."

Sa i takon situatës së krijuar me bashkinë e Shkodrës, Çipa nuk parasheh një krizë institucionale.

"Nuk mendoj. Gjithë kostumi politik dhe proceset politike që realizohen është i arnuar. Një kostum i arnuar në të gjitha pjesët. Shtimi i një ëndrrë të tillë si ajo që po ndodh në Shkodër nuk prish punë por degradon dhe më shumë vlerën e një procesi për ta pretenduar të pastër dhe shërbyes. Palët duhet të krijojnë një momentum të ri politik.Çdo marrëveshje që do të rikthente modelin e 2017 do ta zhbënte dhe dobësonte jo vetëm autoritetin e shtetit, por perspektivën institucionale dhe perspektivën e vendit për anëtarësimin në BE."