Kanë investuar miliona lekë, por nuk lejohet të ushtrojnë aktivitetin e tyre, edhe pse janë të licencuar. Bëhet fjalë për pronarët e mjeteve ujore të argëtimit që janë ngritur në protestë ditën e sotme në plazhin e Durrësit. Shkak është bërë futja e një pike të re në kontratën me Policinë Kufitare. Policia Kufitare këtë vit, ndryshe nga vitet e shkuara, kërkon që çdo pushues të ketë leje drejtimi, para se të marrë me qira një mjet ujor, ç’ka bllokon automatikisht aktivitetin e këtyre subjekteve.

Subjektet janë licensuar nga ana e bashkisë së Durrësit, kanë kryer të gjitha veprimet në Kapitanerinë e portit në regjistrin detar dhe kanë plotësuar kërkesat për ngritjen e vendbazimeve ujore e të kullave të vrojtimit në plazh, por policia kufitare ka nxjerrë një kërkesë të re në kontratë, që sipas këtyre investitorëve është e pabazë, e për këtë do i drejtohen gjykatës, sqaron Mikel Cipi, përfaqësues ligjor.

Pronarët e tyre kanë investuar nga 50 deri në 100 mijë euro në blerjen e motorëve të ujit dhe mjeteve të tjera të argëtimit që përdoren nga pushuesit që vijnë në bregdetin e Durrësit dhe janë të apasionuar pas tyre.

Edhe vitin e shkuar subjektet e mjeteve ujore të argëtimit u përplasën me Policinë Kufitare në pikun e sezonit turistik, por ishte Drejtoria Rajonale e Kufirit që u tërhoq nga vendimi për bllokimin e tyre.

Çështja pritet që të shqyrtohet në gjykatë, ndërsa të penalizuar ekonomikisht janë pronarët e këtyre mjeteve që vazhdojnë të paguajnë taksat e shtetit dhe kontributet e sigurimeve shoqërore të punëtorëve, ndërsa mjetet e tyre ujore qëndrojnë të lidhura në breg.

K.H.