Për rreth tre orë opozita dhe mbështetësit e saj protestuan në Tiranë kundër qeverisë. Ndryshe nga herët e tjera protesta u shtri në një pjesë të madhe të qendrës së Tiranës. Nga Kryeministria, te Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, te parlamenti e më tej te Policia e Tiranës, protestuesit mbushën rrugët me thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Shiu dhe errësira pamundësuan një pamje të qartë të asaj që po ndodhte te parlamenti, ku u ndalën më shumë protestuesit. Aty ku me sa duket u pa dhe revolta më e madhe e protestuesve që hodhën gurë, sende të forta e mjete piroteknike por pa tentuar të hynin në oborrin e parlamentit.

Objektivi i LSA-së ka kapur disa nga momentet më të forta, kur protestuesit kanë hequr gardhin metalik dhe vazhdimisht hidhnin sende në drejtim të parlamentit.