Pas një operacioni të pandërprerë nga Forcat e Policisë Durrës prej një jave, është kapur një 25-vjeçar me rrezikshmëri të lartë nga Biza, që ka tentuar pak ditë më parë të vrasë punëtorët e një firme që rikonstruktonin rrugën Lalëz-Bizë.

Bëhet fjalë për shtetasin Eduart Gjika 25 vjeç, banues në fshatin Bizë, i dënuar për trafik të lëndëve narkotike në Itali. Policia thekson se i riu paraqiste rrezikshmëri të lartë, dhe puna për kapjen e tij është bërë në mënyrë të mirëorganizuar dhe të pandërprerë.

Gjika, më datë 19.07.2017, në fshatin Bizë ka tentuar të vrasë me armë zjarri automatik, për motive pronësie, punëtorët e firmës që merreshin me rikonstruksionin e rrugës Lalëz-Bizë, duke qëlluar në ajër. Fatmirësisht nuk ka pasur persona të dëmtuar.

Me të marrë njoftim Efektivët e Policisë kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar dhe pas një pune hetimore të specializuar kanë bërë të mundur ndalimin e tij ditën e sotme, për shkak të rrezikshmërisë së lartë që kishte shtetasi i ndaluar dhe fakti që ishte i armatosur.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin ku ai ishte fshehur u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale:

• një armë zjarri automatik model 56, kalibër 7.62 mm;

• një kreher me 28 fishekë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për vepratpenale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.