Nuk gjen paqe Bashkim Dobrushi, katër vite pasi bashkëshortja e tij Edlira vrau me thikë tre vajzat e tyre Simona, Keisi e Sidny, në Leko të Italisë, ngjarje që tronditi jo vetëm opinion publik shqiptar, por edhe atë italian.

Përveç netëve të gjata pa gjumë, përpjekjeve për të ecur përpara, 49-vjeçari thotë se nuk gjen ende një motiv për masakrimin e vajzave 13, 10 dhe 3 vjeç. Në një intervistë për të përditshmen italiane “Corriere Della Sera”, ai kujton si të ishte dje momenti kur mori lajmin e vrasjes së tyre.

“Kisha pak që isha nisur në Shqipëri për t’i shpjeguar familjes time arsyet e ndarjes me Edlirën. Kishim shumë mospërputhje. Sapo kishim firmosur edhe dokumentet tek avokati. Një natë para se të nisesha darkova me vajzat, herën tjetër i pashë pa jetë”.

Nënën e tyre Edlirën, e cila është e mbyllur në një Institut të Shëndetit Mendor, nuk e ka takuar më. Për Bashkimin, ajo ka vdekur bashkë me vajzat po atë ditë. Edhe pse asgjë nuk mbush boshllëkun që ndjen, shpejt do të bëhet baba, sërish, fryt i një marrëdhënies me Afërditën, të cilën thotë se e ka njohur në Shqipëri dy vite më parë.

Emri i fëmijës që pret do të jetë i kompozuar me inicialet e vajzave të ikura, si për të gdhendur kujtimin e tyre në një krijesë të re. Bashkimi është nisur drejt Shqipërisë, për të kujtuar 9 Marsin tragjik në vendin ku ka varrosur të bijat në Kukës.