Pasditen e sotme në Shqipëri ra një tërmet i fuqishëm, më i forti i 30 viteve të fundit, i cili shënoi plot 5.8 ballë. 

Në muajin korrik, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i dërgoi një letër kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm Sandër Lleshajt dhe ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka ku i sinjalizonte për një tërmet apokaliptik. 

Meta gjithashtu u vetëofrua për një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar mbi masat që mund të merren për tërmetin, i cili pritej të ishte 30 herë më i fortë se ai në Atika.

Pas letrës së Metës, reagoi vetë kreu i Institutit Gjeodinamik të Greqisë Akis Tselentis, i cili sipas presidentit kishte paralajmëruar tërmetin. Ky i fundit tha se rajoni mund të goditej nga një tërmet 6 ballësh.

“Ne të gjithë duhet të jemi të përgatitur. Ne kemi një bishë pranë nesh. Ne duhet të jemi të përgatitur,“– tha ai.

Mesa duket kjo ka qënë lëkundja e lajmëruar nga presidenti Meta, e cila ishte aq e fortë sa ka dëmtuar disa banesa dhe ka plagosur plot 68 persona që po marrin ndihmën e shpejtë në spital. Ende nuk ka të dhëna për të vdekur.