Studentët e Universiteteve Publike protestojnë edhe ditën e sotme kundër vendosjes së tarifave për provimet e mbartura.

Të gjithë fakultetet e Universitetit të Tiranës janë bashkuar te Politekniku dhe kanë nisur marshimin në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" për të mbërritur në orën 10:00 para godinës së Ministrisë së Arsimit. Përveç Tiranës, sot protestohet edhe në Universitetet e Durrësit, Elbasanit dhe Korçës.

Me thirrjet "Ne nuk jemi bankomat", studentët kërkojnë përgjysmim të tarifave dhe heqjen e tarifave shtesë. Studentët thonë se do ta vijojnë protestën e tyre dhe nuk do të dorëzohen deri sa të plotësohen kërkesat e tyre.

Këshillat Studentore të Universiteteve Publike i janë drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku paraqesin 4 kushtet e tyre.