Kepi i Rodonit, vendi i harruar nga njerëzit

18/06/2012 - 00:00

 

Megjithëse shumë prej turistëve e shohin këtë zonë, si një përrallë, si një mrekulli që të relakson e ku harron plotësisht streset e jetës së përditshme, ata gjithmonë shprehin habinë e tyre se pse ky vend duket si i harruar nga njerëzit

Është një zonë që zoti i ka falur me bujari shumë bukuri natyrore dhe njëkohësisht përbën një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit kulturor në qarkun e Durrësit për monumentet e trashëguara nga rrjedha e shekujve, por të paktë janë ata që e kanë shkelur këtë zonë. Përveç besimtarëve që janë të pranishëm këtu çdo vit dhe peshkatarëve që e kanë përshkuar të gjithë vijën bregdetare të tij shumë të tjerë ngrenë supet kur i pyet për Kepin e Rodonit. Vite më parë, infrastruktura mjaft e rënduar rrugore e bënte udhëtimin deri tek kepi mjaft të mundimshëm. Tashmë disa km para se të shkosh në Kep të Rodonit asfalti ndërpritet dhe rruga është e shtruar vetëm me çakull, por në përgjithësi udhëtimi është i  këndshëm, pasi rruga kalon nëpër fshatra të komunës Ishëm, ku vilat dy apo trekatëshe, të ndërtuara vitet e fundit, janë dëshmi e gjendjes së mirë ekonomike të shumë familjeve të kësaj zone.

Pjesa më e madhe e banorëve sigurojnë jetesën përmes bujqësisë e blegtorisë dhe të ardhurave nga emigrantët. Ndërsa rruga gjarpëron mes shpateve të kodrës plot gjelbërim syrit nuk mund t’i shpëtojë peisazhi i mrekullueshëm, ku ndërthuret relievi kodrinor me atë bregdetar. Nga maja e kodrës deti shfaqet në të gjithë madhështinë e tij, ndërsa shkëmbinjtë që në disa pjesë të bregdetit bien thikë mbi det, e që të kujtojnë rivierën e jugut, e bëjnë këtë zonë mjaft të preferuar për turistët e huaj, të cilët magjepsen nga natyra e virgjër. Pyjet që mbulojnë një sipërfaqe mjaft të madhe të kësaj zone, janë një mushkëri e gjelbërt tashmë gati gati e harruar nga ne që jetojmë mes ajrit të ndotur të qytetit dhe mijëra tonelatave beton që ngrenë krye mbi kokat tona. 

 “Pavarësisht se shumë prej turistëve e shohin këtë zonë, si një përrallë, si një mrekulli që të relakson e ku harron plotësisht streset e jetës së përditshme, ata gjithmonë shprehin habinë e tyre se pse ky vend duket si i harruar nga njerëzit”,- tregon për “Dyrrah” përgjegjësi i kishës së Shna Ndoit dhe pronës private të kishës katolike, Altin Bushi. Megjithatë, në disa raste harresa njerëzore është një ogur i mirë për këto “oaze të virgjëra”, të cilat në të kundërt do të pësonin fatin e shumë e shumë zonave të tjera të bregdetit durrsak, të dëmtuara përgjithmonë në emër të turizmit masiv. Prej disa vitesh, Bushi është i punësuar këtu së bashku me tre punonjës të tjerë. Të gjithë së bashku merren me mirëmbajtjen e kishës dhe pastrimin e të gjithë zonës përreth. Në stinën e nxehtë vëmendja e tyre është posaçërisht e përqendruar në ruajtjen nga zjarret të kurorës së gjelbërt që rrethon këtë zonë. Thuajse çdo ditë ai pret grupe turistësh që vijnë, kryesisht nga deti, për të parë kishën e Shna Ndoit.

Kisha me stilin e saj romak, gotik e bizantin është një nga monumentet më të rëndësishme të kulturës në qarkun e Durrësit. Në vitet 1999-2001 ajo iu nënshtrua restaurimit nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës, me mbështetjen e ambasadës gjermane. Restaurimet e hershme, të cilat vihen re në shtresëzimet e brendshme dhe të jashtme të saj, dëshmojnë se ky objekt kulti ka pasur një rëndësi të veçantë si për Kishën Katolike ashtu dhe për atë Ortodokse. Gjatë kohës së Skëndërbeut ajo mendohet të ketë qenë manastir, ku sipas gojëdhënave ka qëndruar motra e tij, Mamica. Vendosja e çatisë me trarë druri dhe e mbuluar me tjegulla duket se nuk ka qenë zgjidhja e përshtatshme për këtë objekt, një pjesë e konsiderueshme e të cilit ka qenë e dëmtuar. Kur e pyes Altinin për përshtypjen që kanë turistët për këtë monument ai shprehet se “veshja e re” nuk pëlqehet nga të huajt. Kisha duket se ka humbur diçka nga mistiçizmi i saj shekullor dhe druri stonon shumë me strukturën prej guri dhe tullash.

Erozioni, armiku i kalasë

Kisha dhe kështjella e Skënderbeut përbëjnë dy monumentet më të vizitueshme në këtë zonë, po ndërsa Kisha e Shna Ndoit është restauruar dhë mirëmbahet Bushi ngre shqetësimin për gjendjen në të cilën po degradon kalaja. “Fenomeni i erozionit duket i pandalshëm dhe mund ta dëmtojë shumë rëndë objektin mesjetar. Asnjë instancë shtetërore nuk është interesuar për të, pavarësisht se objekti thith shumë turistë. Frenimi i erozionit do t’i mundësontë kalasë “frymëmarrjen”. Nëse lihet në këto kushte që është sot ajo do të vazhdojë të dëmtohet”,- thotë ai.

Ajo që nuk u shkatërrua nga pushtuesit dhe nga dëmtimet e pashmangshme që lënë shekujt mbi objektet e vjetra, po rrezikon sot nga indiferenca shtetërore. Nuk mjafton vetëm t’i evidentosh këto monumente dhe t’i përfshish në guidat turistike, në rradhë të parë ato kanë nevojë për mirëmbajtje dhe përkujdesje. Nëse nuk ndërhyhet, atë që nuk e shbënë shekujt, mund ta bëjë harresa dhe indiferentizmi. 



 

Deti dhe plazhi i ndotur

Krahas pyllit me pisha dhe monumenteve historike, kjo zonë është e bekuar edhe me detin. Jo më kot legjenda thotë se Skënderbeu, heroi ynë kombëtar, e kaloi muajin e mjaltit në këtë zonë ku ngrihet ende një kala që mban emrin e tij. Natyra e ka pajisur me klimë të ngrohtë, bimësi të larmishme, një vijë bregdetare mjaft të bukur dhe ujëra të kristalta. Ose më mire, kanë qenë të kristalta vite më parë sepse tashmë plazhi dhe uji i detit janë shumë të ndotur. Katastrofa ekologjike, e regjistruar gati dy muaj më parë, e që preku të gjithë gjirin e Durrësit, duket se ka lënë ende pasoja në këtë vend. Plazhi është i mbuluar nga leshterikët dhe mbeturinat urbane. Vende vende sheh dhe trungje pemësh që ndoshta kanë mbetur aty nga ditët kur lumi Ishëm, me malin e mbeturinave që solli përmes rrjedhës së tij rrezikoi t’i jepte turizmit në Durrës një goditje mjaft të rëndë.

Varkat e peshkatarëve janë rreshtuar në breg njëra pas tjetrës. Nga ana tjetër sheh shumë rrjeta që janë lënë për t’u tharë në diell, në pritje për t’u rikthyer sërish në det. Një pjesë tjetër rrjetash janë hedhur disa dhjetëra metra larg bregut dhe pas pak peshkatarët do të shkojnë të shohin nëse këtë herë fati ka qenë me ta. E kanë lidhur jetën me detin dhe peshku që zënë është e vetmja mënyrë jetese për të siguruar mbijetesën e familjes së tyre. Kjo gjueti është një luftë e përhershme me detin, ndonëse disa prej tyre shpesh nuk ngurojnë të sjellin turistë të huaj përmes detit për të parë nga afër këtë vend me bukuri natyrore dhe monumente kulture. Udhëtimi me varkë, apo skaf siç preferojnë ta quajnë ata, i jep shëtitjes një vlerë komplet tjetër, sepse pamja që të ofron një shëtitje e tillë është vërtet mbresëlënëse.

Në një mol të improvizuar, ku zakonisht hedhin grepat peshkatarët amatorë, të rinjtë e ardhur me rastin e festës fetare nuk ngurojnë të zhyten në det duke u munduar të bëjnë hedhje sa më spektakolare. Ata kërkojnë të argëtohen dhe nuk mendojnë aspak për ndotjen e detit në nivele shumë më të larta sesa normat e lejuara. Lumi i Ishmit vazhdon të sjellë sërish në këto brigje mbeturina urbane apo mbetje inerte megjithëse në masë shumë më të vogël sesa në ditët e para të muajit prill.    

Syri të sheh një vijë të bukur bregdetare, që gjarpëron mes gjireve dhe plazheve të vogla, kryesisht ranorë. Fatmirësisht duket se dora e njeriut nuk ka ushtruar ende veprimtarinë e saj. Natyra e virgjër të fton të ndërmarrësh një shëtitje, pasi kaltërsia e qiellit që bashkohet bukur me të kaltërtën e detit dhe aji i pastër të hapin mushkëritë dhe të mbushin me energji për të eksploruar përreth. Nëse do të ecni përreth 30 minuta në këmbë përgjatë vijës bregdetare do t’ju dalë përpara kalaja e Skëndërbeut, e cila mori emrin e tij, sepse ishte pikërisht mbrojtësi i Krishtërimit, ai që ju kërkoi mjeshtrave raguzianë të kalave, në vitin 1463 ta ndërtonin atë. Mes kësaj bukurie natyrore që ndoshta nuk ka ndyshuar shumë, megjithëse kanë kaluar rreth pesë shekuj, ai kalonte pushimet me Donikën e tij. Kalaja i është nënshtruar prej kohësh fenomenit të erozionit, që vit pas viti rrezikon të rrëmbejë pjesë të ndryshme të saj duke i mbuluar me ujë. Aktualisht një nga kullat e saj e mureve rrethuese të saj ndodhet pak metra nga bregu, e rrethuar nga uji. Ndërsa deti synon ta vendosë këtë monument kulture nën pushtetin e tij, strukturat përgjegjëse, që kanë për detyrë ta ruajnë dhe ta mbrojnë atë kanë bërë gati-gati asgjë, duke e lënë në mëshirë të fatit.

 

   

 

 

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Gjykata e shpalli ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri të pafajshëm për trafik droge dhe fajtor për shpërdorim detyre.

Në kuadër të “Javes Europiane të Lëvizjes”, Bashkia Shijak në bashkëpunim me kopshtet dhe shkollat zhvilluan aktivitete të ndryshme sensi

Bllokohet një anije ruse e ngarkuar me grurë në portin e Durrësit.

Fundjava me diell do t`i lërë vendin ditëve me reshje dhe temperatura të ulta.

Ditën e fundit të shtatorit, në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, të gjithë të interesuarit do të mund të ndjekin një spektakël nd

Specialistët e krimit ekonomik kanë shoqëruar në polici për t’i marrë në pyetje 9 punonjës të Kadastrës së Durrësit.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Agron Tare, ka pritur në takim një delegacion të Ambasadës së Shteteve të

Zëvëndësministri i Drejtësisë Toni Gogu është liruar nga detyra.

Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar në lidhje me rastin e dënimit të ish-ministrit, Saimir Tahiri mbrëmjen e të enjtes.