"Autoritetet shqiptare duhet të rrisin përpjekjet e tyre në ndjekjen, pastrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale dhe trajtimin e rreziqeve që lidhen në financimit të terrorizmit”. Është një nga vërejtjet që bëri këtë të hënë Këshilli i Evropës për Shqipërinë.

“Moneyval”, një organizatë e këtij institucioni, ishte në Tiranë dhe prezantoi raportin sipas të cilit “autoritetet shqiptare kanë një kuptueshmëri të mirë të rreziqeve nga pastrimi i parave në ekonominë formale dhe zotërojnë mekanizma e koordinimit kombëtar për t’i përballuar këto rreziqe”.

“Megjithatë, – thuhet në raport – këto mekanizma nuk kanë rezultuar plotësisht efektive dhe ka disa fusha ku duhet të kishte analiza më e detajuara të kërcënimit të paraqitur” – thuhet më tej.

“Korrupsioni paraqet rrezik të madh për pastrimin e parave për Shqipërinë. E lidhur shpesh me aktivitete të krimit të organizuar, ai gjeneron sasi të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe rrezikon seriozisht funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale”, – theksoi raporti Moneyval.