Këshilli i Evropës (KiE) anuloi të mërkurën, në momentin e fundit, dërgimin në Shqipëri të delegacionit nga Kongresi i Autoriteteve Lokale, për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale, që pritet të zhvillohen këtë të dielë më 30 qershor.

Anulimi vjen një ditë pas deklaratës së Presidentit Meta se “ligjërisht nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor”.

Por zhvillimi i Lokaleve 2019  në Shqipëri, në prag të 30 qershorit, sa vjen dhe bëhet fakt real. Mazhoranca socialiste dhe partitë opozitare parlamentare po vazhdojnë fushatën zgjedhore deri në ditën e heshtjes zgjedhore, 24 orë para ditës së zgjedhjeve. Ndërkohë, opozita jashtë sistemit politik, e kryesuar nga Partia Demokratike (PD) vijon të deklarojë e do të pamundësojë zhvillimin e zgjedhjeve. Një situatë e tillë sjell paqartësi dhe ngre pyetjen:  A do të ketë apo nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor? Pikërisht kësaj paqartësie dhe rreziqeve që mbart ajo i referohet KiE në vendimin e sapomarrë..

Në njoftimin e tij zyrtar KiE bën me dije se "ka vendosur të mos dërgojë një delegacion të Kongresit të Autoriteteve Lokale të KiE, për vëzhgimin e zgjedhjeve lokaleve në Shqipëri për shkak të paqartësisë së vazhdueshme lidhur me organizimin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri më 30 qershor si edhe rreziqet e mundshme të sigurisë në zona të caktuara ku do të mbahen zgjedhjet.”

Ndërkohë misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, i ftuar nga qeveria e Tiranës, për vëzhgimin e procesit zgjedhor për Lokalet 2019,  më 30 qershor, vazhdon punën, i drejtuar nga Ambasadorja Audrey Glover.

Basha: Vendim politik i KiE për t’u distancuar nga votimet farsë

Lideri i PD dhe opozitës, Lulzim Basha e quajti anulimin nga KiE të dërgimit në Shqipëri të delegacionit vëzhgues, „sinjalin e parë, të qartë dhe të prerë se 30 qershori nuk është ditë zgjedhjesh në Shqipëri”.

Në një konferencë shtypi,  të mërkurën pasdite, Basha tha se „vendimi i KiE është fakt kuptimplotë se në 30 qershor nuk ka zgjedhje në Shqipëri.”

Sipas tij vendimi në fjalë është „distancim i qartë për votimet farsë, një partiake, antidemokratike dhe antikushtetuese që kërkon të bëjë kryemnistri Rama”

Basha i quajti votimet në 30 qershor „ tentativë për grusht shteti nga Rama” dhe përsëriti se opozita nuk do t’i lejojë votimet këtë të diel.

Miratohet ngritja e komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta

Paqartësisë me thënie dhe kundërthënie për zhvilimin e zgjedhjeve më 30 qershor, iu shtua të mërkurën  edhe potenciali i një krize presidenciale. Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi propozimin e Parlamentit për ngritjen e komisionit hetimor për Presidentin Meta, për të hetuar atë që maxhoranca socialiste e konsideron, “shkelje të Kushtetutës” me dekretin e nxjerrë nga Presidenti Meta para dy javësh, që anulon 30 qershorin, si datë të zhvillimit të zgjedhjeve lokale 2019.

Sipas Komisionit të Ligjeve, Presidenti Meta ka cënuar parimin e zhvillimit periodik të zgjedhjeve, parimin e ligjshmërisë dhe të së drejtës së qytetarëve për të zgjedhur dhe për t‘u zgjedhur. Në seancën plenare të javës që vjen, më 4 korrik, ngritja e komisonit hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta do të votohet në Parlament.

 

Procedura vijon me gjetjet e komisionit hetimor që i paraqiten Parlamentit. Nëse Parlamenti merr vendim për shkarkimin e Metës, fjalën vendimtare e ka Gjykata Kushtetuese që miraton ose hedh poshtë vendimin e Parlamentit. Gjykata  Kushtetuese nuk funksionon prej disa muajsh në Shqipëri, pasi ende mungojnë kandidaturat për të zëvendësuar gjykatësit konstitucionalistë, që reforma në drejtësi i  nxori jashtë sistemit përmes vettingut. Por qeveria Rama, maxhoranca socialiste dhe Brukseli që asiston Shqipërinë në ngritjen e institucioneve të reja të Drejtësisë së reformuar deklarojnë qe Gjykata Kushtetuese do të jete funksionale së shpejti.