Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Durrësit kanë nisur aksionin e largimit të kioskave që gjenden pranë shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve të qytetit.

Bashkia e Durrësit ka vendosur largimin e tyre, pas ankesave të shumta që kanë ardhur nga drejtues të shkollave dhe prindër të nxënësve për kioskat që qëndrojnë prej vitesh në trotuare, pavarësisht se në një pjesë e tyre janë me leje.  

Në total janë 70 kioska që do të largohen, pranë shkollave të qytetit dhe atyre të fshatit. Kryeinspektori i IMTV-së vendore, Ardian Halili, tha se deri më tani kanë hequr 17 kioska dhe do të vazhdojnë pa ndërprerë, në mënyrë që të hënën në mëngjes kur nis dhe mësimi, të jenë pastruar të gjitha.

Ndërsa kreu i Policisë Bashkiake Vasip Çopa, tha se aksioni vjen pas ankesve që ka bërë komuniteti i prindërve si dhe drejtorët e shkollave, ndërkohë që gjatë ditëve në vazhdim policia bashkiake do të vazhdojë me pastrimin e territorit nga parkime të paligjshme dhe çlirimin e hapësirave publike.

Përgjatë këtij aksioni, në total pritet të hiqen 26 kioska pranë shkollave të qytetit dhe 44 pranë atyre të fshatit.