Kisha e Shna Ndoit mbledh gjithë besimtarët

18/06/2012 - 00:00

 

Ditën e mërkurë, kisha e Shna Ndoit tek Kepi i Rodonit ishte mbushur plot besimtarë të ardhur nga zona përreth, por dhe nga Durrësi, Kruja e qytete të tjera. Madje nuk mungonin edhe besimtarët nga rrethi i Laçit. Ashtu siç ndodh shpeshherë në vendin tonë, ku pavarësisht ekzistencës së tre feve, bashkëjetesa mes besimtarëve është shumë paqësore, në kishë nuk mungonin edhe muslimanët.

13 qershori është një datë e shënuar në kalendarin e besimtarëve të krishterë të vendit tonë. Në dy kisha të Shën Antonit apo Shna Ndoit (siç njihet nga besimtarët katolikë shqiptarë), në kishën e Laçit dhe atë të Kepit të Rodonit, mbahen proçesione të ndryshme në nderim të shenjtorit me origjinë nga Portugalia. Një nga mrekullitë e Shna Ndoit ishte shfaqja e tij në dy vende njëkohësisht e duket se kjo aftësi e tij e ka ndjekur edhe në Shqipëri, pasi në të njëjtën ditë dy kisha festojnë ditën e tij. Ditën e mërkurë, kisha e Shna Ndoit tek Kepi i Rodonit si dhe vendi rreth saj ishte i mbushur plot besimtarë të ardhur nga zona përreth, por dhe nga Durrësi, Kruja e qytete të tjera.

Madje nuk mungonin edhe besimtarët nga rrethi i Laçit. Ashtu siç ndodh shpeshherë në vendin tonë, ku pavarësisht ekzistencës së tre feve, bashkëjetesa mes besimtarëve është shumë paqësore, në kishë nuk mungonin edhe muslimanët. Besimi tek ky shenjtor, tek mrekullitë e tij të pranuara edhe nga Vatikani, i mbush besimtarët me shpresë se hallet dhe problemet e tyre mund të gjejnë zgjidhje nëse i luten Shna Ndoit. Ritualet kanë nisur që herët, sepse shumë njerëz, siç është edhe traditë, e kanë gdhirë natën pranë këtij vendi. Për këtë arsye rreth kishës syri të sheh shumë tenda të improvizuara që u shërbejnë besimtarëve si për t’u mbrojtur nga vesa e natës, por edhe nga rrezet e diellit të mëngjesit. Proçesioni i 13 qershorit përmbledh 13 të martat e Shna Ndoit. Edhe në kohën e regjimit komunist, kur feja nuk lejohej besimtarët vinin fshehurazi dhe ndiznin qirinj. 

Pranë kishës, vargu i njerëzve është i gjatë, pasi të gjithë mbajnë rradhë për të hyrë atje dhe për të kryer ritualin fetar. Stolat e gjatë, që herë të tjera qëndrojnë në brendësi të kësaj kishe të lashtë, këtë herë janë nxjerrë jashtë, për të akomoduar besimtarët që qëndrojnë në ambientet e jashtme të saj si dhe për të krijuar sa më shumë hapësirë për ata që gjendeshin brenda. Rregulli e do që pas ndezjes së qirinjve dhe prekjes së objekteve të shenjta që ndodhen të ekspozuara në hapësira të veçanta të këtij objekti kulti, besimtarët duhet të qëndrojnë për disa minuta brenda saj për t’i drejtuar lutje shenjtorit. Por prania e një numri shumë të madh njerëzish e bën të pamundur këtë gjë, kështu që shumëkush nxiton të kryejë ritualin fetar për t’i lënë rradhën të tjerëve që presin të futen në kishë. Të rinj e pleq, vajza, gra e burra, të gjithë rreken të prekin me dorë muret dhe reliket e kësaj godine, që ka mundur të vijë thuajse e padëmtuar që nga mesjeta deri në ditët tona. Shumë prej besimtarëve tregojnë se vijnë nga larg dhe kanë ardhur apostafat për këtë ditë të shenjtë. Shpresojnë se Shna Ndoi do t’u vijë në ndihmë dhe ata do të mund të përfitojnë nga mrekullitë e tij, të dokumentuara në regjistrat e kishës katolike.

Rituali i përvitshëm

Në sheshin para kishës, i cili ngrihet pak metra mbi nivelin e detit dhe është i rrethuar nga kodra me gjelbërim të përhershëm ndodhen rreth 3000-4000 njerëz. Një mori e madhe automjetesh gjenden të parkuara pak më larg, ndërkohë që disa efektivë të rendit mbajnë nën kontroll rendin dhe sigurinë dhe janë të gatshëm të ndërhyjnë në rast të ndonjë konflikti apo situate të vështirë. Megjithëse shumë prej njerëzve që ndodhen aty kanë ardhur për të nderuar Shna Ndoin, ashtu si në çdo vend tjetër ku ka grumbullime të mëdha njerëzish nuk ka si të mungojë muzika popullore. Ajo dëgjohet në shumë nga lokalet e improvizuara, të cilët servirnin qofte dhe birra, për njerëzit që ndodhen aty. Era e qofteve që po piqen në zgarë dhe moritë e fuçive me birra që sapo kanë nisur të shkarkohen joshin shumë prej njerëzve që ndodhen aty. Meqë vapa ka nisur të ndihet, pjesa më e madhe e burrave dhe djemve të rinj kanë mbushur tryezat, pasi tendat dhe çadrat ofrojnë pak hije, aq të nevojshme nën diellin përvëlues.

Shumë prej atyre që kanë zgjedhur të gjenden pranë kishës së Shna Ndout këtë të mërkurë kanë marrë ushqim me vete, pasi e kanë organizuar këtë udhëtim në formën e një pikniku. Nuk mungon edhe një minitreg i improvizuar, ku disa tregtarë, duke përfituar nga moria e njerëzve, përpiqen të shesin produktet që kanë ekspozuar përtokë. Aty gjen një mori me cikërrima, që gjithsesi tërheqin shumë klientë, që nisin të bëjnë pazar për t’ua marrë tregtarëve mallin sa më lirë. Shumë të tjerë, të ardhur ndoshta për herë të parë këtu nisen të eksplorojnë bregdetin. Ndërsa gati-gati në të gjithë vendin bunkerët janë shkatërruar për t’u marrë hekurin për skrap, këtu, në Kepin e Rodonit, ata vigjilojnë akoma krenarë duke mbikqyrur rreptësisht bregdetin.  

Mesha që zhvillohet rregullisht në ambientet e kishës, më 13 qershor, u krye në ambient të hapur. Moria e madhe e njerëzve nuk e mundësonte praninë e të gjithëve brenda kishës së vogël, kështu që personat që përkujdesen për të gjitha ceremonitë e kësaj dite kanë bërë tashmë gati vendin ku do të kryhet ceremonia fetare. Pas meshës, të gjithë, të organizuar në grupe të mëdha apo të vogla nisin të drekojnë qoftë pranë “lokaleve” apo të ulur përdhe në hapësirat e gjelbërta rreth e përqark kësaj lugine. Muzika tashmë jehon edhe më tepër, para se vargu i gjatë i makinave të marrë rrugën e kthimit. Ajo që lënë pas janë mbeturina të shumta të shpërndara kudo. Disa kosha të vendosur aty-këtu nuk mund ta përballojnë gjithë atë volum mbeturinash të krijuara nga mijëra njerëz. Heqja e tyre i mbetet detyrë personave që përkujdesen për kishën dhe të gjithë zonën përreth, që rezulton të jetë pronë e kishës katolike. Ndërsa vargu i gjatë i makinave largohet, pas mbetet pluhuri, i cili shoqëron km e fundit të kësaj rruge që të shpie drejt Kepit të Rodonit, e që ende nuk është shtruar me asfalt, por vetëm me çakull.



 

Kisha e Shna Ndoit

Zona ku është ngritur kisha e Shna Ndoit në Kep të Rodonit, ka një kulturë prehistorike ku janë kryqëzuar kultura vendase ilire, sidomos ajo e qeramikës që në shekullin e VII p.k, si dhe kultura e importuar nga viset romane e greke. Objektet e kultit kanë qenë prezente që në krishtërimin e hershëm në këtë vend. Vetë kisha e Shna Ndoit ka një ndërthurje të stileve romake, gotike e bizantine çka dëshmon për gjurmët që kanë lënë përplasjet e luftrave të gjata mes kishës lindore e perëndimore. Brenda në kishë është gjetur këmba e statujës së Shën Françeskut, zambakët e dizenjuar në pllaka guri të Shën Ndoit dhe një shqiponjë dy krerëshe, dhe kjo e dizenjuar në gur". Kisha ngrihet rreth 90 metra mbi nivelin e detit dhe ka dimensione 13.6 x 6.25 metra. Ajo është e zbukuruar me afreske të një cilësie të lartë artistike, ku dallon një shqiponjë e kuqe me dy kokë, simbol i Kastriotëve.

Shenjtori, emrin e të cilit mban kisha e Laçit dhe ajo e Kepit të Rodonit, është një prift portugez i quajtur Fernando Martim de Bulhões e Taveira Azevedo, i lindur në Lisbonë më 15 gusht 1195. Shën Antoni vdiq në moshën 36 vjeçare në Padova, ku bazilika e këtij qyteti mban emrin e tij. Ai është njohur gjithnjë si San Antonio i Lisbonës ose i Padovës, vendet ku ai lindi dhe mbylli sytë. Veprimtaria e tij kishtare si një frat françeskan ka qenë e përqendruar kryesisht në Itali, Francë dhe Portugali. Megjithëse vdiq në moshë shumë të re ai kujtohej në popull si një shenjtor i madh dhe i atribuoheshin shumë mrekulli. Kjo e ndihmoi kishën që ta shenjtëronte në një kohë rekord, brenda një viti, duke e kthyer në shenjtorin e kanonizuar më shpejt në historinë e Kishës Katolike. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri ai pati dy ndalesa; në Kepin e Rodonit dhe në Laç. Në të dy këto vende, në nderim të tij besimtarët kanë ndërtuar nga një kishë, ku çdo 13 qershor grumbullohen besimtarë nga i gjithë vendi për t’i drejtuar lutje e për t’i kërkuar shërim Shna Ndoit.

  

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Eurodeputetja Doris Pack ka folur në lidhje me faktin se Arta Vorpsi u betua para noterit e jo para presidentit të Republikës.

Gazetari i njohur Marin Mema ka qenë i pranishëm mbrëmjen e sotme në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit Bujqësor të T

Ka nisur me rreth 10 minuta vonesë emisioni “Open” i gazetares Eni Vasili në Top Channel mbrëmjen e së enjtes.

Pas Elsa Toskës, e cila u betua e para tek Presidenti Ilir Meta, vijuan betimin Fiona Papajorgji dhe më pas Marsida Xhaferllari.  Kjo e f

Elsa Toska bëhet anëtarja e dytë e Gjykatës Kushtetuese, pas Besnik Muçit që bën betimin para Presidentit.

Socialistët e kundërshtojnë kandidaturën e Marsida Xhaferllarit për gjyqtare kushtetuese, jo duke i bërë vërejtje profesionale, por ngaqë

Bashkimi Evropian u bëri thirrje të gjitha institucioneve shqiptare të përfshira që konflikti i interpretimit mbi përbërjen e Gjykatës Ku

Prej disa ditësh, Kreshnik Ternova është emëruar në postin e Drejtorit të Shërbimeve të Transportit Rrugor Durrës, post që deri në fillim

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” kampionen e atletikës, Luiza Gega.

Prefektura e Durrësit bën të ditur se një ditë më par5 është mbajtur në institicionin e prefektit mbledhja e Komitetit Rajonal të Zhvilli