Policia e Shtetit ka reaguar për sasinë e madhe të kokainës që u kap në Maqedoninë e Veriut, e cila kaloi përmes Shqipërisë.

Në një njoftim për mediat bëhet me dije se operacioni ishte ndërkombëtar dhe roli i policisë shqiptare synonte dorëzimin e kontrolluar të kësaj sasie lënde narkotike në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti.

REAGIMI I PLOTË

Në përgjigje të interesimit të disa mediave, njoftojmë se Policia e Shtetit ka kryer me sukses të plotë detyrimet e saj në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër trafikimit të drogës.

Në operacionin që synonte dorëzimin e kontrolluar të një sasie të madhe kokaine, morën pjesë edhe strukturat e Policisë shqiptare, të cilat mundësuan kalimin e dërgesës nga Mali i Zi nëpërmjet territorit shqiptar drejt Maqedonisë së Veriut, në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti.

Ky operacion përbën një tjetër angazhim serioz të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe një dëshmi tjetër të besimit të partnerëve të saj në këtë luftë.