Kur kanë kaluar tre ditë nga reshjet e dendura që përmbyten Durrësin, situata në zonën e Shkozetit vijon të jetë problematike pasi ende ndodhet nën ‘mbretërinë’ e ujit.

Niveli i ujit në rrugën Shkozet-Rrashbull është 40 cm, ndërsa kolektorët janë jashtë funksionit. Në këto kushte, këmbësorët e kanë të vështirë të lëvizin nga njëri krah i rrugës në tjetrin.

Kjo nuk është hera e parë që banorët apo bizneset në Shkozet përballen me përmbytje të kësaj natyre, çka iu sjell atyre mjaft dëme.

Më herët, prefekti i qarkut, Roland Nasto, dha lajmin e mirë se me punimet që po zhvillohen për pastrimin e kolektorëve në këtë njësi, do të shmanget pikërisht situata në të cilën aktualisht ndodhet Shkozeti.

Por duket se një lajm i tillë do të kërkojë më shumë kohë e do të shkaktojë më shumë humbje për banorët derisa të ndodh vërtetë!