Vjeshta e begatë, e karakterizuar edhe nga temperatura të larta jo normale për stinën, po shkon drejt fundit dhe fermerët e Durrësit, ata të cilët e sigurojnë jetesën nga toka i druhen shirave të dimrit.

Tokat e tyre janë pjellore e të begata, por fermerët e Durrësit i druhen shirave të vjeshtës. Më shumë se 3 hektarë sera përmbyten çdo vit në lagjen nr.14, në Shkozet, si rezultat i bllokimit të kanaleve kulluese.

Gjatë stinës së reshjeve, prodhimi i fermerëve shkon dëm si pasojë e vërshimit të ujit në brendësi të serave, duke përmbytur kështu të gjithë sipërfaqen e mbjellë.

Kolektori kryesor, i cili përshkon të gjithë zonën e Nishtullës, prej vitesh nuk pastrohet. Banorët e zonës thonë për DurrësLajm se ai është bllokuar si pasojë e mbeturinave të hedhura aty por edhe mbetjeve që mbërrijnë, të transportuara nga uji.

I gjendur pak metra larg serave të mbjella, tashmë banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëherëshme, për të frenuar sado pak përmbytjet e përvitshme.

Rajoni i Durrësit ndër vite vazhdon të renditet si një nga rajonet më të prekura përsa i përket përmbytjeve. Në periudha reshjesh intensive, jo vetëm rrugët kryesore, por edhe banesat e kateve të para përmbyten nga uji, e ndërkohë situata bëhet edhe më serioze pikërisht në zonën ku ndodhet një pjesë e konsiderueshme e serave të fermerëve.

K.H.