Një ditë më parë, në zonën e Laçit u kryen kontrolle të shumta nga RENEA, Forcat Operacionale të Policisë së Shtetit dhe efektivët e Policisë së Lezhës e Kurbinit, në kuadër të hetimeve për kapjen e vrasësve të Shkëlzen Kastratit që u ekzekutua më 1 Shkurt në Fier.

Gjatë këtyre kontrolleve u sekuestrua një pistoletë dhe targa të vjedhura të automjeteve. Në ambientet e jashtme të një kompleksi në Fushë-Milot u gjet një pistoletë Glock me 14 fishekë dhe një krehër pistolete me 16 fishekë që i përkiste 30-vjeçarit me iniciale C.K.

Policia thotë se ky person dyshohet të jetë edhe autori i vjedhjes se  targave të shpallura në kërkim nga Policia e Shkodrës të vjedhura më 19 Shtator 2019, të cilat  u gjetën brenda ambienteve rrethuese  të objektit.

30-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe vjedhje.

Kontrollet vijuan edhe në disa ambiente të tjera në qarkun e Lezhës, ku gjatë kontrolleve janë shoqëruar për verifikim disa persona me precedent të mëparshëm penal.

Policia kishte dyshime se në këtë zonë mund të fshiheni personat e përfshirë në vrasjen e Kastratit. Për këtë ngjarje, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim 4 autorët e dyshuar, Albert Zaja, Elmir Tufa, Elson Xheçuka dhe Roland Cara.