Gjykata Administrative ka rrëzuar VKM-në që i kalonte Kopshtin Botanik në pronësi të Bashkisë të Tiranës. Me këtë vendim të dhënë nga Gjykata Administrative, Kopshti Botanik mbetet nën administrimin e Universitetit të Shkencave të Natyrës.

Universiteti ka këmbëngulur vazhdimisht se Vendimin e Këshillit të Ministrave, ku Kopshti Botanik i kalonte në pronësi Bashkisë së Tiranës. Për ish-kreun e universitetit të Tiranë, Mynyr Koni kërkesa e Bashkisë përbënte një shkelje të hapur të autonomisë dhe Ligjit të Arsimit të Lartë.

Përplasjet për pronësinë e kopshtit botanik kanë përfshirë më herët edhe opozitën, sipas të cilës, kryebashkiaku Veliaj dhe kryeministri Rama kanë planifikuar ndërtime aty.

“Vendimi për kalimin në pronësi dhe administrim të Bashkisë jo vetëm cënon rëndë autonominë dhe lirinë akademike, duke rënë ndesh me Ligjin e Arsimit të Lartë, por dhe do të bënte të pamundur funksionin e këtij institucioni, produkt i punës së përkushtuar më se 60 vjeçare të brezave të pedagogëve e studentëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Përvojat e hidhura të deritashme të Fakultetit të tonë me Muzeun e Shkencave të Natyrës, Departamentin e Bioteknologjisë, “ngrënien” e paradokohshme të një cope nga Kopshti në fjalë së bashku me godinën dykatëshe (dhuratë nga Ambasada Amerikane), për kalimin e Unazës së Re, nuk japin asnjë garanci, përkundrazi, flasin në të kundërt të ndonjë mundësie të realizimit të funksionit dhe misionit të Kopshtit Botanik nga ndonjë insititucion tjetër jashtë Universitetit të Tiranës.

Shprehemi dhe një herë se kemi qenë dhe jemi të hapur për çdo bashkëpunim me synim mbështetjen dhe zhvillimin e këtij institucioni me vlera unikale kombëtare, në respekt të qëllimit, misionit dhe funksionimit të tij. Në këtë kontekst ne mirëpresim planet dhe investimet e Bashkisë Tiranë, por gjithnjë të dakordësuar dhe pa cënuar funksionin e misionin e Kopshtit Botanik.

Kjo deklaratë është hapi i parë i reagimit zyrtar dhe publik të Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Univeristetit të Tiranës në kundërshtim të këtij Vendimi, me besim që reagimi i Qeverisë për tërheqjen e tij të jetë sa më i shpejtë. Në të kundërt, ne jemi të vendosur për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për anulimin e kësaj VKM-je në mbrojtje të Kopshtit Botanik, si aset kombëtar kërkimor dhe mësimor i pazëvendësueshëm.” -thuhej në deklaratën shpërndarë mediave.