Koronavirusi i merr jetën inxhinierit mekanik durrsak Luan Luzi në moshën 69-vjeçare.

“DurrësLajm” mëson se Luzi u nda nga jeta mbrëmë në Spitalin Infektiv ku ishte shtruar prej disa ditësh. Gjendja e tij u rëndua një natë më parë ku dhe iu nënshtrua intubimit, por fatkeqësisht nuk arrit t’ia dilte mbanë. Nga të afërmit mësohet se Luan Luzi vuante nga diabeti.

Kush ishte Luan Luzi…

I diplomuar në vitin 1974 si inxhinier mekanik, që pas përfundimit të studimeve Luan Luzi ka shërbyer gjatë gjithë jetës në Hekurudhën Shqiptare, duke dhënë kontributin e tij në disa sektorë.

Fillimisht ka punuar në degën e Shërbimit të Hekurudhës, më vonë nëndrejtor në periudhën kur Hekurudha Shqiptare mbante peshë të madhe pune me transportin e qymyrit, kromit etj, me volum kryesor në portin e Durrësit.

Pas disa vitesh pushim pas ndryshimit të sistemit, Luzi u rikthye në bazën e Mekanikës si drejtor, deri përpara se të dilte në pension.

Në çdo problem ishte i kudondodhur; specialist dhe i aftë në profesionin e tij. Vitet e fundit të punës i mbylli në Hekurudhë si shef reparti.