Drejtuesja e Shërbimit të Inteligjencës Epidemiologjike, pjesë e Task-Forcës, Eugena Tomini në një dalje publike për mediat deklaroi se në kuadër të masave të marra për koronavirusin, janë vlerësuar 3500 raste të personave që kanë pasur histori udhëtimi në vendet e prekura nga ky virus.

Sipas saj në Rinas, apo dhe në pikat e tjera hyrëse e dalëse te terrorit shqiptar, pasagjerët që hyjnë në Shqipëri po i nënshtrohen matjes së temperaturës.

“Nga periudha e shfaqjes e epidemisë në Kinë në janar dhe deri mbrëmjen e djeshme janë testuar 17 raste, që kanë dalë negativ. 8 raste kanë pasur histori udhëtimi me Kinën dhe 9 me Italinë. Nga të gjitha pikat kufitare, në  24 orët e fundit janë vlerësuar 3500 udhëtarë që kanë pasur histori udhëtimi në vendet me transmetim të shpërtimit komunitar.

Aktualisht në aeroportin e Rinasit po kryhet monitorimi i temperaturës për të gjithë udhëtarët që udhëtojnë në linjat me aeroportin e Shqipërisë. Rekomandojmë udhëtarët që kanë udhëtuar në zonat e prekura dhe që kanë pasur kontakte me persona të sëmurë apo të dyshuar me koronavirus të vetëkarantinohen për një periudhë 14 ditore. Të telefojnë në 127 për të marrë udhëzimet e duhura.”