Shefja e Shërbimit Infektiv, Najada Çomo i është përgjigjur shefit të kardiologjisë Edvin Prifti, i cili u shpreh se vendi ynë nuk ka kushte dhe kapacitete për të përballuar koronavirusin. E ftuar në studion e “Vizion Plus”, Çomo qetësoi njerëzit duke deklaruar se Shqipëria bën pjesë tek vendet me risk të ulët për t’u prekur nga koronavirusi ndërsa shtoi se janë marrë të gjitha masat nëse virusi vjen deri këtu. Sipas saj, në ambientet spitalore janë ngritur strukturat e posaçme nëse do të ketë raste të prekurish.

“Vazhdon pjesa e monitorimit të situatës edhe brenda territorit shqiptar. Ne kemi dhënë këshillime, monitorime dhe janë krijuar task forca. Kemi qenë në mbledhje të vazhdueshme, sot u mblodhëm sepse kishte raste kominutare në Itali dhe për këtë arsye patëm një takim urgjent. Ky takim doli me disa masa të reja, pavarësisht se mbetemi një vend me risk të ulët. Ne shtuam masat, por jo panikun. Masat janë që kontrolli në strukturat e aeroporteve, porteve apo vendeve ku kalon popullata, ku kalohet kufiri. Kemi dyfishim të personave që investigojnë personat që hyjnë. Investigimi nga ana mjekësore është shumë i lartë për të parë nëse ka të sëmurë. Këto struktura janë pajisur edhe me mjetet mbrojtëse. Shërbimi infktiv që mund të presë personat është i pajisur me mbrojtëse të një cilësie që i ka të gjithë bota, janë dhoma të ngritura izolimi, pavione me bokse dhe reparte të terapisë intensive. Është një personel i trajnuar dhe i përgatitur për të pritur këta persona. Shqipëria hyn në një vend me risk të ulët. Koronavirusi nuk dedektohet përmes skanerit,” – tha Çomo.