Durrsakët kanë zbarkuar sot në plazhin e Durrësit, pasi moti është ngrohur mjaft, duke shëtitur e soditur bregdetin Adriatik.

Pavarësisht se kryeministri ka dhënë urdhër që njerëzit të qëndrojnë brenda për të evituar përhapjen e koronavirusit, që është bërë shqetësim mbarë botëror, në bregun e detit gjatë orëve të drekës kanë dalë një numër shumë i madh njerëzish.

Disa bëjnë vrap, disa ecje, të tjerë stërviten, ndërsa thonë se në shtëpi kanë qëndruar të mbyllur, por dalin vetëm një orë në ditë për të bërë ecje.

Mes qytetarëve që shëtisin bregut deti ka edhe shtetas italianë të cilët kanë aktivitete në qytetin e Durrësit. Një prej tyre thotë se po qëndron në shtëpi, ka kujdes të shtuar por jo frikë.

Kjo javë, ka ardhur me temeperaturë tipike pranverore. Ndërsa të gjitha rrugët e Durrësit janë bosh dhe të gjithë dyqanet dhe subjektet e biznesit janë mbyllur përveç farmacive furrave të bukës dhe marketeve, në plazh është krejtësisht e kundërta.

Koronavirusi shënoi viktimën e dytë sot në vendin tonë, qytetarët durrsakë nuk dalin pas orës 18 të mbrëmjes, por në bregdet në mesditë dalin me shumicë.

K.H.