Izolimi i detyrueshëm i qytetarëve si masë mbrojtëse nga koronavirusi, ka bërë që shumë familje në nevojë në Durrës të përballen me vështirësi financiare duke qenë se janë shkëputur nga puna.

Në njësinë administrative nr.6, në ish-Kënetë prej disa ditësh po shpërndahen pako ushqimore për familjet që janë të përfshira në skemën e ndihmës ekonomike.

Por krahas kësaj kategorie, kryetari komunës, Serjan Mazrreku thotë se në zonën që ai drejton janë edhe shumë familje të tjera që kanë nevojë për ndihmë.

Ai shprehet se në bashkëpunim me disa biznese ka siguruar ushqimet bazë për familjet e varfra të zonës, duke ua shpërndarë derë më derë në mënyrë që ata të shmangin daljen nga shtëpia gjatë këtyre ditëve.

“Do i gjendem pranë me ndihma gjithësecilit, dhe nëse autoritet nuk e realizojnë dot ndihmën për të gjithë  për shkak të kërkesave të larta në këtë periudhë, do merem me bizneset. Kam folur edhe me një furrë që të bëhet shpërndarja e bukës në zonë.”, thotë ai.

Mazrreku bën me dije se deri më tani janë ndihmuar 50 familje në ish-Kënetë nga 500 që kanë bërë kërkesë përmes një nr. telefoni të afishuar pranë njësisë administrative për të shmangur kështu grumbullimin e banorëeve.

Në zonën e ish-Kënetës apo Durrësit të Ri banojnë 43 mijë banorë të ardhur nga e gjithë Shqipëria dhe pjesa më e madhe e tyre janë në vështirësi ekonomike ndaj edhe izolimi në shtëpi ka shtuar problemet në këto familje.

G.D.