Një sipërmarrës nga Durrësi, që prej 23 vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ndërmarrë këto ditë një nismë që vlen për t’u përshëndetur.

Ndërsa qyteti i Nju Jorkut është një nga zona më e prekur nga koronavirusi në SHBA, Armand Hysa, i lindur në Maminas, shpërndan pica falas për njerëzit në nevojë, por edhe për stafin mjekësor dhe policët e Nju Xhersit, që janë në ballë të kësaj lufte.

Nismën e tij, Hysa e bëri publike gjatë një lidhje live në emisionin “Opinion”. I shoqëruar edhe nga gazetari Ani Elezi, Hysa tha se kjo nuk ishte hera e parë që ai ndërmerrte një iniciativë të tillë, pasi e kishte bërë edhe vite më parë, kur vendi u godit rëndë nga uraganët.

Sipas Hysës, kontributi i tij në këto ditë të vështira është një formë falenderimi për SHBA-në, vendin që i ka dhënë kaq shumë gjatë këtyre viteve dhe është kthyer në atdheun e tij të dytë.

Hysa tha se do ta vazhdonte iniciativën e tij deri në përfundim të situatës së vështirë të krijuar nga pandemia e koronavirusit. Hysa administron në Nju Xhersi picerinë Big Apple Pizza.