Një ditë pasi portali “DurrësLajm” publikoi foto dhe video të situatës së krijuar në qytet për shkak të grumbujve me mbeturina, koshat e mbushur plot janë pastruar.

Punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimit Komunal Durrës kanë larë trotuarët, rrugët kryesore dhe kanë tërhequr gjatë natës plehrat që derdheshin në zona të ndryshme të qytetit bregdetar.

Pas pastrimit në qendër dhe rrugët kryesore, punonjësit e NSHK Durrës po përqëndrojnë punën në lagjet periferike, ku sipas burimeve deri në darkë do të jenë tërhequr të gjitha mbeturinat e dy ditëve të fundit.

Shkak për këtë situatë, siç njoftoi ditën e djeshme “DurrësLajm” ishte se prej dy ditësh, kamionët e NSHK Durrës dhe Plazh qëndronin të bllokuar pasi nuk lejoheshin të shkarkoheshin nga kompania koncesionare që administron landfillin e Sharrës.

Kujtojmë që edhe në qershor të vitit të kaluar, Durrësi u përball për rreth një javë me një situatë katastrofike mjedisore, pasi mbyllja e pikës së grumbullimit të mbetjeve në Porto Romano, ku po ngrihet Eco Parku, la qytetin bregdetar pa një vend depozitimi të plehrave.

Pas rreth një jave që plehrat mbuluan Durrësin, qeveria mori përsipër të paguante faturën financiare tek koncesionari i Sharrës, pasi bashkia e ka të pamundur ta përballojë me buxhetin e saj.