Tetë autobusë të Shqipërisë me pasagjerë të linjës Bajram Curri – Kosovë – Tiranë nuk janë lejuar të kalojnë sot në pikën kufitare të Morinës në Kukës. Mësohet se ndalimi i tyre ka ardhur pas një urdhri të Ministrisë së Transportit të Kosovës.

Ky vendim është marrë dhjetë ditë më parë, por sot ka nisur aplikimin duke bllokuar lëvizjen e tyre drejt destinacionit final, me pretendimin se autobusët nuk kanë përmbushur detyrimet e parashikuara në kontratë.

Autobusët vijojnë të mbahen të bllokuar në pikën kufitare të Morinës që në orët e para të mëngjesit.  

Mësohet se mes pasagjerëve ka edhe fëmijë të cilët prej orësh presin në doganë, pritje e cila bëhet akoma më e vështirë për shkak të temperaturave të larta.

Rifat Hajdini, kreu i shoqatës së transportit publik të linjave Bajram Curri – Kosovë – Tiranë thotë se nuk ishin lajmëruar për këtë urdhër dhe i bën apel dy qeverive për zgjidhjen e situatës.