Drejtuesi i Prokurorisë së Krujës, Petrit Çano u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, që është shkalla e parë e procesit të Vettingut, nëse Komisioneri Publik nuk do e ankimojë në Komisionin e Apelimit këtë vendim brenda 15 ditësh.

Vendimi është pritur me duatrokitje në sallë nga familjarët e prokurorit.

Në përfundim të hetimit administrativ për të tre kriteret e rivlerësimit, pasurinë, pastërtinë e figurës dhe aspektin profesional, trupa gjyqësore e KPK-së vendosi të konfirmojë në detyrë kryeprokurorin e Krujës.

Çano është vlerësuar pozitivisht për pastërtinë e figurës. Drejtoria e Sigurimit të Informacioneve të Klasifikuara nuk ka gjetur kontakte të drejtuesit të Prokurorisë së Krujës me persona me lidhje me krimin e organizuar, duke rekomanduar përshtatshmërinë e tij për vazhdimin e detyrës. Për profesionalizimin, Çano është vlerësuar shumë mirë nga Prokuroria e Përgjithshme.

Ndaj tij ishte vetmë një denoncim i një qytetari nga Kruja me mbiemrin Bami, që thoshte se makina e tij e parkuar është goditur nga një tjetër automjet që shofere ishte vajza e prokurorit. Çështja në fjalë është pushuar për mungesë të autorit dhe denoncuesi pretendon se e ka referuar në polici, por çështja nuk është regjistruar aty.