KQZ ka certifikuar ditën e sotme fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 Prillit. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi tabelat e rezultateve për 11 qarqet. Ndërkohë që bëhet me dije se për Kukësin u vulos në datë 1 Maj. KQZ miratoi tabelat e rezultateve sipas qarqeve, ku nuk pati asnjë pretendim nga partitë e përfaqësuara në KQZ.

Ndërkohë që bëhet me dije se nga dita e sotme çdo parti ka 5 ditë afat të bëjë ankim në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) nëse kanë pretendime për rezultatin, apo kërkesa për rinumërim.

Vetëm pasi KAS të shqyrtojë të gjitha ankesat dhe Kolegji të japë vendimet, në rast se ndonjë subjekt s’e çon në Kolegj, Ilirjan Celibashi shpërndan më pas mandatet me emrat e deputetëve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar gjithashtu edhe mandatin e Zef Hilës, deputetit të zgjedhur të Partisë Demokratike në Shkodër. Pas verifikimit të prokurorisë, mësohet se Hila nuk është deklaruar fajtor.