Pas vendimit të Presidentit Ilir Meta për anullimin e datës së zgjedhjeve, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot në orën 12:00. Mbledhja është thirrur nga nënkryetari i KQZ-së Denar Biba dhe anëtari Bledar Skënderi.

Në këtë mbledhje besohet se do të diskutohet për dekretin e Presidentit Ilir Meta që ka çdekretuar datën 30 qershor të zgjedhjeve vendore.

Në një intervistë për mediat, ish-kreu i KQZ, Kristaq Kume tha se në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, mazhoranca nuk ka hapësira ligjore për të zhvilluar zgjedhjet e 30 qershorit por as për shkarkimin e Kreut të Shtetit.

Sipas Kumes, menjëherë pasi deklarata e Presidentit të marrë formën e dekretit, KQZ duhet të ndërpresë punën për organizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.