Një godinë katër katëshe është shembur në Durrës, në rrugën e vjetër Plepa-Tiranë, nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, e dëmtuar në srukturë dhe e shpallur e pabanueshme nga Inspektoriati Shtetëror i Ndërtimit.

Për shpërthimin e kontrolluar janë përdorur 2 kg eksploziv, në 200 vrima të hapura nga ekspertët e xhenios së Ministrisë së Mbrojtjes.

Ardian Halili kreu i IMT-së Durrës, tha për “DurrësLajm” se janë dashur tre ditë punë për finalizmin e prishjes së objektit, i cili nga ekspertiza përfundimtare doli i pabanueshëm dhe i parikonstruktueshëm.

Ky është një prej 136 objekteve që Inspektoriati Shtetëror i Ndërtimit nëpërmjet ekpertizave të thelluara ka dalë në përfundim për t’u shembur.

Nga 136 objekte që janë listuar për t’u shembur, deri tani janë shembur 60 të tilla, dhe operacionet e shembjes së kontrolluar priet të vijojnë në ditët e ardhshme. Tërmeti i 26 nëntorit për banorët dhe biznesin solli pasoja të rënda e shkatërrimtare.

Rreth 4 mijë familje në Durrës janë të pastreha pasi u janë prishur banesat e kanë dalë të pastrehë, ndërsa edhe biznesi ka pësuar dëme të konsiderueshme.

K.H.