Teksa drejtori i Policisë Rrugore, Mitat Tola po fliste për menaxhimin e trafikut dhe masat e shtuara nga policia rrugore gjatë sezonit të verës, jo shumë metra larg tij ndodhi një aksident.

Gjatë fjalës së tij, Tola tha se policia rrugore ka shtuar patrullimet me qëllim zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor për sezonin e verës. Drejtori i Rrugorëve tha se janë parandaluar ndjeshëm aksidentet si pasojë e masave të marra.

“Sezoni turistik për policinë rrugore ka filluar herët me masa përgatitore në mars-prill-maj. Ndërkohë që sot është një ditë normale e monitorimit në akset rrugore, në zonat turistike. Në të gjithë këto segmente ka shërbime shtesë të policisë që monitorojnë, shohin shkeljet më të dukshme të tyre, dhe bëjnë kujdes që njerëzit të shkojnë të sigurt dhe të kthehen të sigurt. Akset më të ngarkuara të shtunën dhe të dielën, mbeten dalja nga Tirana, pjesa e Gjirit të Lalzit, pjesa e segmentit rrugor nga Durrësi në Vlorë, por edhe trafiku urban në qytetin e Vlorës deri në zonën e plazhit. Mbetet problem edhe Saranda”, tha Tola.