Policia Kufitare e Kakavijës ka goditur 4 raste të krimeve ndërkufitare, ku si rezultat janë sekuestruar 2 automjete luksoze, 1 trajler, si dhe 1 dokument i dyshuar i falsifikuar.

Ndërkohë janë proceduar penalisht 4 shtetas, ndër ta një shtetas grek dhe një shtetas boshnjak.

“Në hyrje të RSH-së u sekuestrua një automjet i markës “Nissan”, me targa bullgare, në pronësi të një firme të huaj dhe në përdorim nga shtetasi grek me iniciale N. D., 56 vjeç, banues në Kozani, Greqi. Automjeti rezulton me numër shasie të dubluar (falsifikuar) dhe si rrjedhojë mjeti dyshohet i vjedhur dhe i trafikuar. Ky shtetas u procedua për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike”, sqaron policia.

Po në dalje të territorit shqiptar Policia Kufitare  sekuestroi automjetin e markës “Audi Q7”, me targa shqiptare, i drejtuar nga shtetasi shqiptar me iniciale A. B., 53 vjeç, banues me Vlorë.

Ky automjet, thotë policia, rezultoi me numër shasie të dubluar (falsifikuar) dhe i vjedhur në vendet e BE-së. Drejtuesi u procedua për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike”.

Gjithashtu, si rezultat i kontrolleve të shtuara, po në dalje të RSH-së, nga Policia Kufitare u sekuestrua automjeti i llojit “Rimorkio”, i markës “Mercedes Benz”, me targa të Bosnje Hercegovinës, me drejtues shtetasin boshnjak me iniciale M. D., 41 vjeç, banues në Bosnje Hercegovinë. Ky automjet rezulton me numër shasie të dubluar (falsifikuar) dhe si rrjedhojë i vjedhur dhe i trafikuar. Shtetasi u procedua për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike”.

Po në kuadër të parandalimit dhe goditjes së paligjshmërisë në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe kalimit të paligjshëm të kufirit në dalje të RSH-së, nga shërbimet e Policisë Kufitare u sekuestrua një leje drejtimi greke e dyshuar si e falsifikuar. Leja e drejtimit ishte ne posedim te shtetasit shqiptar me inicialet V. P., 57 vjeç, banues në Greqi. Ky shtetas u procedua për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.

Verimet hetimore janë kryer nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar  dhe Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me prokurorinë.