Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ka përuruar shkollën e re “Artan Zeka” në Qerret të njësisë administrative të Katundit të Ri me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.

Kryebashkiakja Sako nga kjo shkollë e re ka uruar nxënësit, prindërit dhe mësuesit për një sezon sa më të mbarë shkollor si dhe ka bërë thirrje për të zbatuar me përpikmëri protokollin shëndetësor.

“Përveç detyrave që duhet të mësoni shumë, këtë vit keni edhe një detyrë tjetër goxha të vështirë, ajo e ruajtes së shëndetit. Ju kërkoj të gjithë mësuesve të shkollës që të kenë vullnetin dhe kujdesin maksimal për fëmijët këtë vit, pasi është një vit që paraqet shumë sfida.”, tha ajo, ndërsa shtoi se Bashkia Durrës ka punuar për të krijuar ambiente sa më të mira për nxënësit në shkollat e qytetit.

Shkolla “Artan Zeka” është ndërtuar tërësisht e re nga bashkia e Durrësit me fondet e veta dhe ka në përbërje të saj edhe një kopësht që është ndërtuar edhe ai i ri. Në këtë shkollë mësojnë 106 nxënës ndërsa kopshti ka 28 fëmijë.

Të gjithë këta nxënës e fëmijë si dhe stafi pedagogjik do të jenë tashmë në mjedise të reja me kushte bashkëkohore dhe me standarte të larta sigurie. Kjo shkollë përveç 13 klasave ka edhe tre laboratorë, bibliotekë, dhomë psikologu, palestër etj.