27/01/2021 - 17:51
Shijaku ka qenë një nga zonat e prekura nga përmbytjet, ku si pasojë e reshjeve të shumta gjatë janarit, ka dalë nga shtrati lumi Erzen. Për familjet e përmbytura, kryebashkiaku Elton Arbana premton dëmshpërblimin për dëmet e shkaktuara.
"Situata është drejt përmirësimit. Bashkia e Shijakut ka nisur punën e llogaritjes së dëmeve të shkaktuara dhe shumë shpejt do të mundemi të dëmshpërblejmë të gjithë këto familje. Ashtu siç kemi vepruar dhe me dëmshpërblimet për tërmetin e 26 nëntorit, ku asnjë familje e prekur nuk është ndjerë vetëm, ashtu do t'i japim mbështetjen tonë dhe tani. Për këtë dua të falenderoj për mbështetjen e padiskutueshme dhe të vazhdueshme që po na japin Kryeministri Edi Rama dhe Qeveria shqiptare",- thotë Arbana.
Si pasojë e përmbytjeve, një familje u evakuua dhe vazhdon të jetë e strehuar te Kavalishenca. Ndërkohë, 13 familje patën probleme në shtëpitë e tyre me daljen e lumit Erzen nga shtrati.
"Po punohet për të kthyer në normalitet situatën e krijuar",- thotë Arbana, i cili nënvizon se po punon fort së bashku me stafin e bashkisë që Shijaku të ringrihet pas tërmetit dhe përmbytjeve.
"Suksesi im është suksesi i të gjithë atyre që jetojnë në Shijak për të pasur një qytet të bukur. Pavarësisht situatës së përmbytjeve në Njësinë Administrative Gjepalaj ne kemi përfunduar shtëpitë individuale të 20 familjeve. Ndërkohë që Kopshti nr.1 Shijak ka përfunduar. Shumë shpejt fëmijët do të kenë kushte bashkëkohore për të kaluar një pjesë të ditës",- deklaron ai.
Ndërsa përmbytjet e shkaktuara nga lumi Erzen janë të shpeshta, kryebashkiaku deklaron se ka një projekt konkret për sistemimin e këtij problemi.
"Zyra e projekteve në bashki ka përfunduar projektin për ngritjen e argjinaturës së lumit Erzen dhe për rivitalizimin e zonës. Ne shpresojmë që të kemi mundësinë ta realizojmë sa më shpejt këtë projekt madhor dhe mendoj se kjo do të jetë një nga sfidat tona në vazhdim", thotë kryetari i bashkisë.
/portali DurresLajm/