Në qytetin e Kukësit masat e marra nga qeveria duket se po gjejnë zbatim nga pjesa më e madhe e qytetarëve. Gjatë monitorimit të Kryeinspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror, Shkëlqim Hajdari, vlerëson se qytetarët janë ndërgjegjësuar dhe se vetëkarantinimi është mënyra e duhur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.  

“Angazhimi i përbashkët qeveri-pushtet lokal po tregon se jemi njerëz të ndërgjegjshëm, jemi evropian sa i përket trajtimit të epidemisë, sepse ndryshe nga shumë vende europiane, qytetarët e Shqipërisë janë përshtatur kushteve të vështira që ka vetëkarantinimi dhe po durojnë fort edhe ata që janë në pamundësi ekonomike. Në fund të kësaj epidemie Shqipëria do të dal ndër vendet më pak të dëmtuara nga koronavirusi, me këto masa të forta ne do ta kalojmë pa dëmtime”, shprehet Hajdari.

Shkëlqim Hajdari ka inspektuar edhe pikat kufitare për të pare nga afër zbatimin e masave.