Për historianin dhe ish-ministrin e jashtëm Paskal Milo, dërgimi i çështjes së kufirit detar me Greqinë në Gjykatën e Hagës është zgjidhja më e mirë e mundshme që shteti shqiptar mund të përfitonte në rrethanat e krijuara. Në një intervistë për DurrësLajm, Milo tha se tani mbetet prioritare ngritja e një grupi ekspertësh, më të mirët e fushës, në mënyrë që vendi ynë të shkojë në gjykatën ndërkombëtare me mbrojtjen më të mirë të mundshme. Sipas tij, qeveria shqiptare tani e tutje duhet të tregohet shumë më e kujdesshme dhe duhet të përgatitet shumë seriozisht. Në të njëjtën kohë, për Milon bashkëpunimi institucional është mjaft i domodoshëm në këtë periudhë, madje ai kujtoi se edhe Kuvendi mund të hartojë një rezolutë për këtë çështje.

“Të gjitha institucionet duhet të angazhohen seriozisht dhe më e rëndësishmja është bashkërendimi i përpjekjeve dhe të paktën për këtë çështje, të gjitha institucionet duhet të flasin me një zë”,- tha Milo.

Nisur nga përplasjet e forta mes presidencës dhe kryeministrisë, politikani Milo tha se në këtë çështje me interes kombëtar nuk duhet të ketë dy palë, por vetëm një palë dhe ajo është pala shqiptare. Sipas tij, të gjithë aktorët politikë duhet të kenë prioritet çështjen kombëtare.

“Ne jemi përfaqësues të shtetit shqiptar, të institucioneve shqiptare dhe përsa kohë ka një shtet shqiptar duhet të ketë vetëm një palë. Për fat të keq, në shumë raste, institucionet shqiptare nuk koordinohen mes tyre dhe prevalojnë interesat politike në raport me interesat kombëtare. Për këtë çështje duhet të ketë vetëm një interes dhe ky është interesi kombëtar.” – tha Milo.

M.B.