25 automjete të gjobitura ditët e fundit nga Policia Bashkiake e Durrësit për parkime të gabuara. Vetëm gjatë ditës së dielë janë vendosur 12 bllokues tek mjetet që parkojnë në hapësira të rezervuara për invalidët, në vendqëndrimet e autobuzëve apo taksive, apo mbi trotuar dhe tek vijat e bardha.

Policia Bashkiake bën të ditur për DurrësLajm se problematike në këtë periudhë janë automjetet e emigrantëve dhe ato me targa të huaja, të cilët nuk respektojnë tabelat dhe sinjalistikën, duke parkuar në kundërshtim me ligjin.

Masat e gjobës variojnë nga 3000-5000 lekë të reja dhe të gjitha automjetet e bllokuara e gjobitura janë me targa të huaja.

Policia Bashkiake e Durrësit ka një apel për të gjithë drejtuesit e mjeteve, sidomos për emigrantët që këto ditë vere pushojnë në atdhe:

“Respektoni sinjalistikë rrugore shmangni masën administrative. Emigrantët të cilët vijnë në atdheun e tyre per pushime, ju lutemi zbatoni rregullat si në shtetet nga vini”.

Aksionet e Policisë Bashkiake janë të përqendruara kryesisht në shëtitoren “Taulantia”, një nga zonat më të frekuentuara në këto ditë të nxehta vere.

Parkimi i automjetit është kthyer në një stres më vete për banorët e qytetit, pas reduktimit të ndjeshëm të hapësirave publike ku parkoheshin vitet e kaluara makinat.

Gjatë muajve korrik gusht, numri i automjeteve që qarkullojnë në Durrës rritet ndjeshëm, për shkak të numrit të lartë të emigrantëve që kthehen në atdhe dhe turistëve të huaj.

Një javë më parë, Policia Bashkiake e Durrësit ftoi qytetarët të denonconin në numrin +052 2322 50, të gjitha rastet kur automjetet zaptojnë hapësirat dhe vendparkimet publike duke vështirësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve pranë Shëtitores "Taulantia".

M.B.