Java Evropiane e Lëvizshmërisë kulmon nesër në Durrës me aktivitetin ‘Dita pa Makina’.

Gjatë ditës së premte do të zhvillohen një sërë aktivitetesh ndër të cilat edhe një maratonë.

Me qëllim realizimin sa më me sukses të kësaj maratone, do të ketë kufizime të lëvizjes së makinave nga ora 10:00 deri në orën 14:00, në akset rrugore: Mauzoleumi i Dëshmorëve (Rruga A. Goga) – Bulevardi “Epidamn” – Torra Veneciane si dhe Bulevardi “Dyrrah” – rruga “Grigor Durrsaku”.

Për këtë arsye, që të mos mbeteni të bllokuar në trafik, pa mundësi lëvizjeje, evitojini këto rrugë në oraret e mësipërme, apo më mirë, për një ditë të vetme mbyllin makinën në shtëpi dhe lëvizni në këmbë.

Gjithashtu, gjatë ditës së premte do të organizohet edhe një ekspozitë/konkurs lidhur me idenë më të mirë mbi Lëvizshmërinë e Qëndrueshme në qytet, ku në përfundim do të jepet edhe një çmim për fituesin e konkursit.

Për më tepër, në Ditën pa Makina, Bashkia Durrës ka mundësuar ofrimin e guidave nëpër qytetet me makinat elektrike, të cilat do të ofrohen pa pagesë për të gjithë qytetarët.

Bashkia e Durrësit këtë vit i është bashkuar nismës “Java Evropiane e Lëvizshmërisë”, e cila startoi më datë 16 shtator dhe përmbyllet nesër, në datë 22 shtator.