Autoriteti Rrugor Shqiptar iu bën thirrje drejtuesve të mjeteve të përdorin zinxhirët në disa akse rrugore të vendit, për shkak të motit të acartë që ka përfshirë vendin.

Sipas ARRSH-së, gjatë natës ka pasur reshje me intensitet të ulët bore në veri, në juglindje, në akset e Dajtit, në Llogara, ku është punuar me shpërndarjen e kripës dhe me mjetet borëpastruese, teksa qarkullimi në këto rrugë kryhet pa probleme.

ARRSH këshillon drejtuesit e automjeteve të tregojnë kujdes dhe të reduktojnë shpejtësinë si dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, e sigurisht të pajisen me goma dimërore apo zinxhirë.

Njoftimi i plotë i ARRSH-së: 

Gjatë natës ka pasur reshje me intensitet të ulët në veri, në juglindje, në akset e Dajtit, në Llogara, ku është punuar me shpërndarjen e kripës dhe me mjetet borëpastruese. Qarkullimi kryhet pa probleme.

Gjatë orëve të para të mëngjesit rekomandohet që kalimi të bëhet me zinxhirë për shkak të ngricave në akset: Qafë Bualli-Krastë, Ura e Cerenecit-Klenjë, Nikollare-Strelcë, Qafë Priskë-Qafë Mollë.

Drejtuesit e mjeteve të tregohen të kujdesshëm, të reduktojnë shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë”.