Hotelet që operojnë në zonën e plazhit në Durrës dhe fshtarat turistikë në zonën e Girit të Lalëzit kanë për detyrë të vendosin kullat e vrojtimit për pushuesit.

“Këtyre subjekteve ju është dhënë përparësi absolute në sipërfaqen para tyre me licensimin e plazheve private. Privatët kanë detyrim të marrin masat për sezonin veror.”

I këtij mendimi është kreu i zyrës së Tatim Taksave në Durrës, Luan Dajko, i cili në një intervistë për "DurrësLajm", sqaroi problematikën e ngritur për këtë çështje.

Në plazhin e madh të Durrësit nga Currilat deri në Plepa, zona e rërës është e disiplinuar dhe e ndarë në 159 parcela, pjesa më e madhe 200 metra katror secila. Në këtë plazh, hotelet kanë për detyrë vendosjen e kullave të vrojtimit.

Në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe në Gjirin e Lalëzit janë subjektet që licensohen për të plotësuar këto kushte.

Kujtojmë që para pak ditësh në Gjirin e Lalëzit u mbyt një pushues 22-vjeçar.

Dajko thotë se fshatrat turistikë që kanë në administrim plazhet private, kanë edhe detyrën e krijimit të kushteve. 

“Bashkia do të intensifikojë punën për kontrollin e plotësimit të kushteve nga këto subjekte në drejtim të masave të marra,” tha Dajko.

K.H.