Gjatë mbledhjes së komisionit të Sigurisë Kombëtare, drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu krahas arritjeve të mëdha të institucionit që drejton, demaskoi publikisht Zaide Çobon, mamanë e 15-vjeçarit që dhunuan brutalisht vartësit e tij javë më parë në kryeqytet.

I pari i policisë së shtetit i tregoi publikut mbarë disa imazhe ku nëna e të miturit mbante në dorë një pistoletë ndërsa u shpreh:

 “Do t’ju shfaq një video të mamasë së tij, se kush është mamaja e tij dhe të besoni se nga çfarë familje vjen ky fëmija dhe pastaj të gjykoni vetë. Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë. Ju a tregova këtë videon për të thënë se nga çfarë familje vjen ky fëmijë, sa i edukuar është, sa i është bindur thirrjeve të policisë dhe tek e fundit policia si gjithmonë bëhet viktimë.”

I qetësuar nga arritja e radhës, Veliu hoqi një problem më pak nga lista e gjatë që mban mbi supe prej kur ka marrë detyrën.

Por ajo që nuk dinte Veliu ishte fakti se zonja në fjalë është aktore dhe pamjet e publikuara  janë xhiruar gjatë filmit “Dashia s’mjafton” me regjisor Drilon Hoxhën.

Tani që i morëm vesh të gjitha nuk e dimë nga kush duhet të na vijë turp, nga ngjarjet kriminale që nuk marrin kurrë zgjidhje në vendin tonë apo ato që luhen në kinema dhe na shiten si tilla në jetën reale!